Secondary Adv

Punime në mbikalimin e Kasharit, ARRSH njofton devijimin e trafikut në 14-15 gusht

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton devijimin e përkohshëm të trafikut në drejtimin Tiranë–Durrës gjatë netëve të 14 dhe 15 gushtit, për shkak të punimeve në mbikalimin e ri të Kasharit.

Në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës, Faza III”, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se do të kryhen punime për montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit. Ndërhyrjet do të zhvillohen më 14 dhe 15 gusht 2026, gjatë intervalit nga ora 23:00 deri në 05:00.


Bllokohen dy korsitë në drejtimin Tiranë–Durrës


Për garantimin e sigurisë rrugore gjatë zhvillimit të punimeve, në këtë interval do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë–Durrës.


Trafiku i automjeteve që udhëtojnë drejt Durrësit do të devijohet në dy korsitë në anën e majtë të autostradës. Gjatë punimeve, këto korsi do të funksionojnë përkohësisht si rrugë me dy drejtime lëvizjeje, për të mundësuar vijimin e qarkullimit.


Lëvizja drejt Aeroportit të Tiranës vijon pa pengesa


ARRSH sqaron se automjetet që kanë si destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojnë lëvizjen pa pengesa, pavarësisht devijimit të përkohshëm të trafikut në segmentin ku po kryhen punimet.


Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës gjatë zhvillimit të punimeve dhe zbatimit të devijimit të përkohshëm të qarkullimit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat